Presidentja Osmani: Nexhat Daci, figurë e rrallë e dijes dhe shtetndërtimit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur pikëllimin e saj për ndarjen nga jeta të ish-Kryeparlamentarit, akademikut dhe profesorit Nexhat Daci, duke e vlerësuar atë si një personalitet të rrallë të jetës institucionale dhe akademike të vendit.
Në reagimin e saj, Presidentja Osmani theksoi se akademik Daci bashkoi dijen shkencore, përkushtimin akademik dhe angazhimin institucional, duke lënë gjurmë të pashlyeshme si Kryetar i Kuvendit, deputet, akademik dhe udhëheqës i institucioneve shkencore.
Ajo rikujtoi angazhimin e tij gjatë viteve ’90, kur Daci kontribuoi fuqishëm në shërbim të kauzës për liri dhe pavarësi të Kosovës, si bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Sipas saj, me vizion dhe maturi, ai dha një kontribut të çmuar në vendosjen e themeleve të shtetit të Kosovës.
Presidentja Osmani theksoi se trashëgimia e Nexhat Dacit në ndërtimin e shtetit, arsimin e lartë dhe avancimin e shkencës do të mbetet pjesë e rëndësishme e historisë institucionale dhe intelektuale të Kosovës, duke shprehur ngushëllime për familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij.