Presidenti i Kolumbisë thotë se barka e goditur nga ShBA-ja kishte kolumbianë në të - NACIONALE

Presidenti i Kolumbisë thotë se barka e goditur nga ShBA-ja kishte kolumbianë në të

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka thënë se një barkë e bombarduar rishtazi nga forcat amerikane ishte “kolumbiane me shtetas kolumbianë brenda saj”, pretendim që u quajti “i pabazë” nga Shtëpia e Bardhë.

Shtetet e Bashkuara kanë goditur të paktën katër barka në Karaibe në javët e fundit, duke vrarë 21 njerëz. Qeveria amerikane ka thënë se sulmet e kryera në ujëra ndërkombëtare kishin në shënjestër “narko-trafikantë”, raporton televizioni BBC.

Megjithatë, Uashingtoni nuk ka paraqitur dëshmi ose hollësi për personat që ndodheshin në to dhe sulmet janë dënuar nga shtetet e rajonit në kohën e shqetësimeve për shkeljen e së drejtës ndërkombëtare.

Senati i ShBA-së të mërkurën hodhi poshtë një masë me të cilën presidentit Donald Trump do t’i ndalohej përdorimi i forcës ushtarake kundër barkave.

Presidenti i Kolumbisë komentoi te profili i senatorit amerikan, Adam Schiff, anëtar i Partisë Demokratike në opozitë, i cili tha se do të votonte për bllokimin e sulmeve ndaj barkave në Karaibe.

Petro tha se “shenjat tregojnë që barka e fundit e bombarduar ishte kolumbiane me shtetas kolumbianë brenda saj”.

“Shpresoj që familjet e tyre të dalin dhe ta raportojnë këtë. Nuk ka luftë kundër trafikimit; është një luftë për naftë dhe duhet të ndalet nga bota. Agresioni është kundër të gjithë Amerikës Latine dhe Karaibeve” – shtoi ai.

Petro nuk dha hollësi të mëtejme rreth identitetit të pretenduar të personave që ndodheshin në barka. As ShBA-ja nuk i ka komentuar identitetet e individëve të vrarë në sulme.

Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë se “pret që presidenti Petro publikisht ta tërheqë deklaratën e tij të pabazë dhe të qortueshme”./Nacionale

Lajme të ngjashme