Presidenti i Këshillit të Evropës viziton nesër Kosovën, Policia paralajmëron masa të përkohshme në trafik - NACIONALE

Presidenti i Këshillit të Evropës viziton nesër Kosovën, Policia paralajmëron masa të përkohshme në trafik

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Policia e Kosovës ka njoftuar se nesër, më 3 qershor 2026, do të angazhojë kapacitete shtesë policore për mbarëvajtjen e vizitës zyrtare në Kosovë të Presidentit të Këshillit të Evropës, António Costa.

Sipas njoftimit zyrtar, masat e sigurisë do të kenë për qëllim garantimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe menaxhimin dhe rregullimin e trafikut gjatë zhvillimit të aktiviteteve të planifikuara.

Policia ka bërë të ditur se për të mundësuar zhvillimin e sigurt të vizitës, do të zbatohen masa të përkohshme të kontrollit dhe rregullimit të trafikut. Këto masa mund të përfshijnë ndërprerje të shkurtra të qarkullimit në segmente të caktuara rrugore dhe devijimin e trafikut në rrugë alternative, në varësi të nevojave operative dhe vlerësimeve të sigurisë.

Autoritetet policore theksojnë se do të punojnë në koordinim me institucionet përkatëse për të siguruar mbarëvajtjen e vizitës dhe për të minimizuar ndikimin e kufizimeve në lëvizjen e qytetarëve.

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik që të tregojnë mirëkuptim dhe bashkëpunim, duke respektuar udhëzimet e zyrtarëve policorë në terren.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e sigurisë dhe garantimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët dhe zyrtarët ndërkombëtarë që vizitojnë Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Lajme të ngjashme