Presidenti i Iranit thotë se komunikimi me liderin suprem tash për tash është “shumë i vështirë”
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, tha në një intervistë të transmetuar në televizionin shtetëror se komunikimi me liderin suprem të vendit, Mojtaba Khamenei, tani për tani është “shumë i vështirë”.
Mojtaba Khamenei nuk ka bërë ndonjë paraqitje publike që nga koha kur u bë lider suprem, duke e zëvendësuar babanë e tij, Ayatollah Ali Khamenei, i cili u vra në njërin nga sulmet e para kundër Iranit nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Para disa ditëve, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Mojtaba Khamenei është “90 për qind i mbaruar”, duke aluduar në lëndimet që Uashingtoni beson se i janë shkaktuar në njërin nga sulmet.
Thuhet se lideri suprem i Iranit është duke u shëruar nga lëndimet që i kishte pësuar në një sulm ajror. Ai nuk mori pjesë në ceremonitë e funeralit të babait të tij, që u mbajtën këtë muaj në Iran dhe Irak.