Presidentët e Kongos dhe Ruandës më 4 dhjetor në Uashington, e nënshkruajnë paqen - NACIONALE

Presidentët e Kongos dhe Ruandës më 4 dhjetor në Uashington, e nënshkruajnë paqen

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidentët e Ruandës dhe Republikës Demokratike të Kongos do të udhëtojnë për në Uashington javën e ardhshme për të nënshkruar një marrëveshje të paqes dhe për t’u takuar me homologun e tyre amerikan, Donald Trump, i thanë tri burime agjencisë së lajmeve “Reuters”.

Dy burime diplomatike dhe Tina Salama, zëdhënëse e presidentit të Kongos, Felix Tshisekedi, i thanë kësaj agjencie se takimi do të mbahet më 4 dhjetor.

Një zëdhënës i presidentit të Ruandës, Paul Kagame, dhe Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment të premten.

Grupi rebel M23, i përkrahur nga Ruanda, nisi një avancim të shpejtë në lindje të Kongos këtë vit, duke i marrë nën kontroll dy qytetet më të mëdha të rajonit dhe duke shkaktuar frikë për një luftë më të gjerë që do të mund të tërhiqte vende fqinje. Nga vala e fundit e luftimeve janë vrarë mijëra njerëz e janë shpërngulur qindra mijëra të tjerë.

Takimi i javës së ardhshme pritet që të përforcojë një marrëveshje të paqes të ndërmjetësuar nga ShBA-ja e të arritur në qershor. Pakti ishte nënshkruar nga ministrat e jashtëm të dy vendeve afrikane, ndërsa më herët këtë muaj u arrit marrëveshje edhe për një Kornizë Rajonale për Integrim Ekonomik.

Zëdhënësja e presidentit kongolez tha se dy krerët e shteteve pritet t’i ratifikojnë të dyja këto dokumente.

“Presidenti gjithmonë ka dëshiruar integrim rajonal, por respektimi ndaj sovranitetit është i panegociueshëm dhe parakusht për integrimin rajonal” – tha ajo.

Administrata e Trumpit ka premtuar se do të lehtësojë miliarda dollarë investime perëndimore në rajonin e pasur me ar, bakër, Tantal, kobalt, litium e minerale të tjera.

Lajme të ngjashme