Presidenca jep detaje për takimin Osmani-Abazoviq, flasin edhe për dialogun me Serbinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
Presidenca e Kosovës përmes një komunikate për media bën të ditur se në takim Osmani e Abazoviq kanë shprehur gatishmërinë për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka përshëndetur marrëveshjen për shërbime ajrore të Kosovës dhe Malit të Zi, të nënshkruar dje. Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova me Malin e Zi ndajnë pikëpamjet e njëjta mbi rëndësinë e integrimit euroatlantik të shteteve të rajonit si garancë për paqe e prosperitet në rajon.” – thuhet tutje në komunikatë.
Osmani, thuhet se ka potencuar që Mali i Zi është shtet mik i Kosovës, “ndaj ka shfaqur besimin se do ta mbështesë Kosovën edhe më tej në përpjekjen për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar duke përfshirë anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, për të cilën gjë ka marrë mbështetjen e kryeministrit Abazoviq”.
Veç kësaj, bëhet e ditur se në takim është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në vend e rajon, si dhe dialogun me Serbinë.
“Presidentja Osmani ka potencuar se Marrëveshja e Brukselit, e trajton Kosovën dhe Serbinë si palë të barabarta në kontekstin e raporteve ndërshtetërore, megjithëse ka theksuar se Serbia po vazhdon me obstruksione sa i përket zbatimit të marrëveshjes së arritur.” – thuhet tutje.
Në fund, thuhet si vijon: “Presidentja Osmani dhe kryeministri Abazoviq diskutuan edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit ekonomik, tregtar, turizëm, arsim dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm”.