Polonia do t’i vendosë raketat gjermane “Patriot” afër kufirit me Ukrainën
Polonia dhe Gjermania janë pajtuar për të vendosur sisteme gjermane raketahedhëse të tipit “Patriot” afër kufirit polak me Ukrainën pas një oferte të Berlinit, tha të hënën ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Mariusz Blaszczak.
“Ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë e konfirmoi gatishmërinë e saj për të vendosur raketahedhës “patriot” në kufirin me Ukrainën. Mbetet të vendoset për versionin e sistemit dhe për atë se sa shpejt do të arrijnë ato sisteme te ne dhe sa gjatë do të jenë të vendosura”- shkroi ministri polak në rrjete sociale.
Berlini ia ka ofruar Varshavës sistemin raketor “Patriot” për ta ndihmuar sigurimin e hapësirës së saj ajrore, pasi një raketë ra në Poloni javën e kaluar, tha të dielën ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë, Christine Lambrecht.
Raketa që e goditi Poloninë javën e kaluar, duke lënë dy të vrarë, dukej se ishte hedhur aksidentalisht nga sistemi i mbrojtjes ajrore i Ukrainës e jo që ishte sulm rus, ka thënë sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Qeveria gjermane ishte zotuar se do t’i ofronte Polonisë ndihmë shtesë për kontrollimin e hapësirës ajrore me aeroplanë luftarakë “Eurofighter” pas incidentit, i cili fillimisht shkaktoi frikë se lufta në Ukrainë mund të përhapej përtej kufijve të këtij shteti.