Polonia do të ndërtojë rrethojë në kufi me enklavën ruse të Kaliningradit
Ministri i Mbrojtjes i Polonisë tha të mërkurën se ka dhënë urdhër për ndërtimin e një rrethoje të përkohshme përgjatë kufirit të vendit të tij me enklavën ruse të Kaliningradit.
Ky veprim është ndërmarrë për shkak se Varshava dyshon që Rusia është duke e planifikuar lehtësimin e kalimit ilegal të kufirit nga emigrantët aziatikë dhe afrikanë, raporton agjencia “Reuters”.
Ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Mariusz Blaszczak, tha se kufiri duhet të sigurohet në mënyrë që vendi i tij të ndihet i sigurt. Ai tha se e ka autorizuar ndërtimin e një rrethoje të përkohshme përgjatë kufirit 210-kilometërsh. Puna për ndërtimin e kësaj rrethoje do të fillojë të mërkurën.
Kufiri i Polonisë me Bjellorusinë u bë vend i një krize të madhe me emigrantë vitin e kaluar. Një numër i madh i njerëzve e kaluan këtë kufi ilegalisht. Polonia ndërtoi një rrethojë çeliku përgjatë kufirit me Bjellorusinë. Ndërtimi i saj përfundoi në qershor.
Udhëheqësit e Polonisë dhe të BE-së e akuzuan qeverinë bjelloruse, aleate e presidentit rus, Vladimir Putin, për organizimin e lëvizjes së emigrantëve për të krijuar kaos dhe përçarje në Bashkimin Evropian.