Policia paralajmëron për një e-mail mashtrues në emër të drejtorit të Përgjithshëm
Policia e Kosovës ka dalë me njoftim lidhur me një “e-mail” mashtrues, i cili u është dërguar disa personave në emër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Në këtë shkresë të rreme pretendohet: “Me këtë rast, na duhet përgjigja juaj urgjente ndaj Urdhrit të Gjykatës së pretenduar të bashkangjitur kundër jush”, ndërsa në bashkëngjitje gjendet edhe një dokument tjetër fals.
Policia ka bërë thirrje qytetarëve që të mos hapin shkresën dhe të mos klikojnë në linqe të dyshimta.
Njoftimi i plotë:
Njoftim nga Policia e Kosovës rreth një shkrese (e-mail) me përmbajtje mashtruese
Prishtinë, më 22 korrik 2026
Nga informacionet që ka pranuar Policia e Kosovës sot (22.07.2026), ka pasur njoftime se në disa adresa elektronike ka shkuar një shkresë (e-mail) jozyrtare dhe e rreme, kinse nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.
Përmbajtja e e-mail-it – shkresës së rreme është: “Me këtë rast, na duhet përgjigja juaj urgjente ndaj Urdhrit të Gjykatës së pretenduar të bashkangjitur kundër jush”, ndërsa në bashkëngjitje ka një shkresë tjetër, e cila po ashtu është false.
Policia e Kosovës është duke e trajtuar rastin dhe po heton se nga është dërguar kjo shkresë, ndërsa kërkon nga qytetarët që ajo të injorohet dhe të mos hapet fare, pasi përmban përmbajtje mashtruese.
Policia e Kosovës, ashtu siç ka njoftuar edhe më parë lidhur me mesazhet mashtruese, ua rikujton qytetarëve se:
Ky mesazh nuk është zyrtar.
Mos klikoni në linqe të dyshimta.
Mos jepni të dhëna bankare apo personale.
Mos hapni faqe që kërkojnë pagesa përmes SMS-ve.
Në rast se pranoni mesazhe të tilla:
Fshijeni menjëherë.
Raportojeni tek autoritetet përkatëse.
Kontaktoni bankën nëse keni ndarë të dhëna.
Raportoni përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose telefononi në 192.
Qëndroni të kujdesshëm ndaj mashtrimeve online.