Policia njofton për një “operacion të befasishëm”: Kapet ar në pikën e kalimit kufitar në Han të Elezit
Policia e Kosovës ka njfotuar se është parandaluar një rast i kontrabandimit me ar në pikën e kalimit kufitar Hani i Elezit.
Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 16:10, kur mbi bazën e informacioneve inteligjente, autoritetet kanë ndaluar për kontroll në vijën e dytë një autobus të linjës së rregullt Serbi – Maqedonia e Veriut, i drejtuar nga një shtetas i Serbisë me inicialet M.L.
Gjatë kontrollit të detajuar, zyrtarët kanë zbuluar në çantën e një pasagjereje (J.H.) një sasi stolish ari, përfshirë varëse dhe unaza, të fshehura në një qese të mbyllur. Po ashtu, tek drejtuesi i autobusit janë gjetur të fshehura në xhaketën e tij edhe disa rrathë dore dhe një medaljon ari.
Sipas autoriteteve, pesha totale e arit të sekuestruar arrin në 129.76 gramë, ndërsa i njëjti nuk ishte deklaruar fare në kufi.
Ari i sekuestruar është konfiskuar nga autoritetet doganore dhe rasti po procedohet më tej, ndërsa vlera e tij pritet të përcaktohet nga njësitë përkatëse të Doganës së Kosovës.