Policia njoftoi për kanosjen e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama e mohon
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka mohuar se është kanosur.
Në një postim në facebook, ai ka thënë se raportimet nuk janë të sakta.
“Mediet kanë raportuar një kërcënim ndaj meje si Kryetar i Kryeqytetit. Dua të sqaroj se nuk ka pasur asnjë kërcenim ndaj meje dhe se raportimet e tilla nuk janë të sakta”, ka shkruar Rama.
Në fakt, për kanosjen ndaj kryetarit të kryeqytetit njoftoi Policia e Kosovës.
“KANOSJE NDAJ PERSONIT ZYRTAR – Komuna e Prishtinë 08.05.2024 – 15:00. Më 23.05.2024 pas hetimeve të zhvilluara është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar me dyshimin se i njëjti gjatë zhvillimit të një diskutimi lidhur me planin rregullues të një lagjeje të kryeqytetit, kishte kanosur dy zyrtarë të KK Prishtinë (kryetarin dhe kryesuesin e Kuvendit Komunal). I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.