Policia: Jemi duke asistuar kryetarët e komunave veriore për të ushtruar të drejtën e tyre në punë
Policia e Kosovës (PK) ka njoftuar se është duke i asistuar kryetarët e komunave në veri për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse.
Përmes një komunikate për medie, Policia ka bërë me dije se është duke u angazhuar në mbarëvajtje të sigurisë.
“Policia e Kosovës (PK), sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese po ndërmerr veprimet e saja policore në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që paraqiten në vend. Sipas detyrës zyrtare, sot Policia e Kosovës është duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse”, është thënë në komunikatën e Policisë.
Portali lokal nga Mitrovica ka botuar një video në të cilën dëgjohet sirena në veri të Mitrovicës. Për këtë çështje ka raportuar edhe Radio Evropa e Lirë në gjuhën shqipe, e cila ka shkruar se janë parë grumbuj qytetarësh në Zveçan dhe Zubin Potok para objekteve të këtyre komunave. E gjitha erdhi pas kërcënimeve të përsëritura nga Serbia për trazira në veri.