Operacion bastisjeje në Qendrën Korrektuese të Dubravës, u përdor edhe njësiti special K9
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se sot në Qendrën Korrektuese të Dubravës është realizuar një operacion i gjerë bastisjeje.
Në njoftimin për media është thënë se synimi i zyrtarëve korrektuese në këtë aksion ka qenë parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme dhe forcimin e sigurisë brenda institucionit.
Sipas njoftimit, në fund të aksionit nuk është gjetur asnjë send i kundërligjshëm.
“Gjatë operacionit janë kontrolluar të gjitha hapësirat e brendshme, përfshirë dhomat e të burgosurve, si dhe hapësirat e jashtme të institucionit, kuzhina, lavanderia, salla e sportit dhe ambientet tjera përcjellëse. Në këtë aksion kanë dhënë mbështetje edhe zyrtarë korrektues nga institucione të tjera, si dhe njësiti special K9. Pas përfundimit të bastisjes, rezultoi se nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm, duke e bërë operacionin me rezultat negativ. Shërbimi Korrektues i Kosovës shpreh falënderimin për mirëkuptimin e të burgosurve gjatë zhvillimit të këtij aksioni, i cili ka për qëllim vetëm rritjen e sigurisë dhe mbajtjen e një ambienti korrektues të qetë dhe të sigurt”, është thënë në njoftimin e ShKK-së.