Policia arreston një person në veri për vrasje në tentativë, sekuestron armë dhe drogë
Policia e Kosovës ka njoftuar se në Mitrovicë të Veriut ka arrestuar një person për veprën penale “Vrasje në tentativë”.
Në njoftimin e policisë është thënë se personit në fjalë gjatë kontrollit i janë gjendur armë dhe substanca narkotike.
Polica ka treguar se si ka ndodhur rasti.
“Policia në veri ka pranuar informacion nga Spitali Rajonal Mitrovicë – Veri se një person është pranuar për trajtim mjekësor me plagë të shkaktuara nga një mjet i mprehtë. Sipas raportimit, rasti ka ndodhur në rrugën “Anri Dinan”. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje verbale në lidhje me një qiradhënie. Më pas, sipas dyshimeve, tre persona kanë dalë nga një veturë me targa të huaja, fillimisht e kanë rrahur viktimën dhe më pas njëri nga të dyshuarit e ka therur me një mjet të mprehtë (dyshohet thikë) katër herë në këmbën e majtë dhe një herë në stomak, duke i shkaktuar lëndime trupore”, është thënë në njoftimin e policisë, duke dhënë detaje tjera.
“Policia, në bazë të veprimeve të shpejta operative, ka arritur të identifikojë vendndodhjen e automjetit të përdorur nga të dyshuarit, i cili ishte i parkuar në afërsi të vendit të ngjarjes dhe i njëjti më pas është sekuestruar nga policia. Gjithashtu, pas veprimeve policore është arritur të identifikohet edhe vendndodhja e njërit nga personat e dyshuar. Policia ka shkuar në atë lokacion, ku ka hasur në personin e dyshuar dhe ka bërë arrestimin e tij. I dyshuari ka tentuar të largohet, por është arritur të arrestohet. Arrestimi i tij është bërë në adresën e banimit të familjarëve të tij në qytetin e Mitrovicës së Veriut”, është thënë në njoftim, duke treguar armë dhe substanca narkotike që janë gjetur.