Plagoset një 44-vjeçar në Skenderaj, dërgohet në spital
Një 44-vjeçar është plagosur mbrëmjen e së hënës në Skenderaj dhe është dërguar për trajtim në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.
Për gjendjen e tij shëndetësore ka folur zëdhënësi i këtij spitali, Shpend Fazliu, i cili bëri të ditur se i plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetë dhe me parametra stabilë.
Sipas Fazliut, 44-vjeçari është pranuar në Shërbimin Emergjent rreth orës 21:37, ku po i nënshtrohet ekzaminimeve të nevojshme dhe trajtimit mjekësor.
“Në ora 21:37, në Spitalin e Përgjithshëm ‘Dr. Sami Haxhibeqiri’ në Mitrovicë, në Shërbimin Emergjent, është sjellë një rast i plagosjes nga Skenderaj, 44 vjeçar. Aktualisht, me parametra stabil, jashtë rrezikut për jetë, po vazhdojnë ekzaminimet radiologjike dhe trajtimi mjekësor”, deklaroi Fazliu për Klankosova.tv.