Pjetër Shala largohet nga gjykimi, avokati: Ai po dridhej, është nervoz dhe në ankth
Pjetër Shala është larguar nga seanca gjyqësore që po mbahej në Gjykatën Speciale në Hagë.
Kjo është bërë pasi ai nuk po ndjehej mirë. Kështu ka deklaruar avokati i tij, Jean Gilessen.
“Ai është pak nervoz, nuk e vlerëson se si po shkojnë zhvillimet dhe parapëlqen që seancën ta ndjek me video-lidhje, është më mirë për atë. E takuam dy herë para se të fillonim tani, ishte shumë nervoz, shumë në ankth, po dridhej, besojmë se është më mirë për atë, dhe për të gjithë, që të kthehet, prandaj do të ju lutesha të merrni parasysh kërkesën të kthehet në paraburgim dhe kërkon leje që ta ndjek seancën me video-lidhje”, ka thënë mbrojtësi i Shalës.
“Zoti Shala heq dorë për të marrë pjesë në këtë gjykim, nuk dëshiron të qëndrojë këtu, pra heq dorë nga e drejta, na kërkon ta përfaqësojmë dhe kërkon të kthehet në paraburgim, sepse duhet të qetësohet, ka nevojë të qetësohet”, ka thënë avokati.
Trupi gjykues pritet t’ia mundësojë Shalës që të jetë pjesë e seancës me video-lidhje.