Pezullimi i gradimeve në polici, sindikata e shqetësuar: Procesi të rifillojë sa më shpejt - NACIONALE

Pezullimi i gradimeve në polici, sindikata e shqetësuar: Procesi të rifillojë sa më shpejt

6 orë më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avdi Hoti, ka shprehur shqetësimet e tij në lidhje me pezullimin e gradimeve në Polici të Kosovës.

Ai ka bërë me dije pezullimin i këtij procesi ka krijuar pasiguri te zyrtarët policorë.

Në një prononcim për “Indeksonline”, ai ka kërkuar që ky proces të rifillojë sa më shpejt.

“Problemi kryesor mbetet periudha e gjatë gjatë së cilës nuk janë organizuar teste për gradim, çka ka ndikuar në disa gjenerata zyrtarësh që kanë mbetur pa mundësi avancimi. Kjo situatë është shoqëruar edhe me paqartësi procedurale, përfshirë anulimin e disa proceseve të mëhershme, gjë që ka krijuar pasiguri dhe perceptim negativ te zyrtarët policorë”, ka thënë ai.

Ai ka paralajmëruar se pezullimi i gradimeve mund të ndikojë negativisht në motivimin dhe zhvillimin profesional të zyrtarëve policorë.

“Pezullimi i gradimeve mund të ndikojë negativisht në motivimin e zyrtarëve policorë, veçanërisht tek ata që prej vitesh presin avancim profesional. Mungesa e mundësive për zhvillim në karrierë reflekton edhe në interesimin e përgjithshëm për profesionin, prandaj është e rëndësishme që proceset e gradimit të rikthehen sa më shpejt.”, është shprehur ai.

Lajme të ngjashme