Petrit Hajdari largohet nga dega e PDK-së në Drenas
Petrit Hajdari është larguar nga udhëheqësia e degës së PDK-së në Drenas.
Lajmin e ka bërë të ditur ai në rrjete sociale, duke shkruar se ka qenë kërkesë e kryetarit Bedri Hamza.
Postimi:
Të dashur qytetarë të Drenasit dhe mbështetës të PDK-së,
Në Degën e PDK-së në Drenas kemi korrur sukses të jashtëzakonshëm në zgjedhjet e fundit nacionale, duke dalë dega më e fuqishme e PDK-së.
Me besimin se duke e çuar përpara PDK-në e çojmë përpara Kosovën, angazhimi ka qenë i përhershëm e i përditshëm.
Megjithatë, duke mos dashur t'i bëhem pengesë proceseve të nevojshme, me kërkesë të kryetarit të PDK-së Bedri Hamza, kam vendosur sot ta liroj degën e PDK-së në Drenas dhe ta fokusoj kontributin në kryesinë qëndrore.
E lë degën me mbi 18 mijë vota dhe me krenarinë e performancës në zgjedhjet më të vështira nacionale ndonjëherë. Vazhdoj të jem i përkushtuar për të kontribuar për PDK-në e për vendin, pavarësisht nga cila pozitë.
E falenderoj thellësisht ish-kryetarin Memli Krasniqi për besimin e bashkëpunimin dhe kryetarit Hamza i uroj suksese në zgjedhjet e radhës, ku ofroj kontributin e angazhimin tim.
U jam mirënjohës Asamblistëve, shtabit të degës dhe kryesisë së degës për angazhimin vetëmohues në zgjedhje. Gjithashtu, i falenderoj kandidatët për deputetë nga komuna jonë që bashkërisht kanë bërë që PDK-ja të ketë rezultat të mirë.
Jam jo vetëm mirënjohës por edhe krenar për punën që kemi bërë bashkë.
Pozitat nuk kanë qenë kurrë thelbi i rrugës sime; thelbi ka qenë gjithmonë e mira e vendit, sepse vetëm ajo mbetet kur çdo gjë tjetër kalon.
I falenderoj qytetarët e Drenasit dhe secilin që ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi për besimin dhe mbështetjen.
Shpresoj që pozitën që po e liroj unë, ta marrë një figurë e pakorruptuar, përbashkuese e jopërçarëse. Drenasit i nevojitet unifikim.
Ka qenë nder për mua t'i shërbej vizionit për një Kosovë më të mirë, trashëgimisë së Hashim Thaçit e Kadri Veselit.
Do ta vazhdoj kontributin me besimin që e mira e PDK-së është e mira e vendit.