Petkoviq: Planifikova vizitë në vendet e shenjta të Kishës Serbe në Kosovë, ma ndaluan
Petar Petkoviq që udhëheq zyrën për Kosovën në qeverinë serbe, thotë se Kosova ia refuzoi kërkesën për një vizitë në Kosovë për Pashkët Ortodokse gjatë fundjavës.
Sipas një njoftimi të kësaj zyreje, Petkoviq gjatë kësaj vizite ishte parparë të merrte pjesë në liturgjinë e mesnatës për Pashkët në Manastirin e Deçanit, pastaj në shërbesën në Manastirin e Graçanicës në mëngjesin e Pashkëve dhe në një takim me të rinjtë në Manastirin e Draganacit.
“Ndonëse vizita ishte ekskluzivisht e karakterit fetar dhe përfshinte ekskluzivisht vizita në manastire dhe në vendet e shenjta të Kishës Ortodokse Serbe, në frymën e festës më të madhe për serbët, pa qëllime politike, autoritetet në Prishtinë e ndaluan vizitën e tij pa asnjë shpjegim”, tha Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe.
“Këto ndalime [të vizitave] jo që janë të pabaza, por paraqesin edhe shkelje të drejtpërdrejtë të Marrëveshjes për lëvizjen e lirë dhe atë për vizita zyrtare, veçmas kur bëhet fjalë për kryenegociatorin në dialog nga pala serbe”./rel/