Pesë të vrarë ditën e zgjedhjeve në Pakistan, pezullohen shërbimet e telefonave - NACIONALE

Pesë të vrarë ditën e zgjedhjeve në Pakistan, pezullohen shërbimet e telefonave

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Të paktën pesë persona u vranë nga sulme të militantëve ditën e zgjedhjeve të përgjithshme të enjten në Pakistan pas pezullimit të përkohshëm të shërbimeve telefonike në mbarë vendin dhe pas mbylljes së disa kufijve tokësorë për t’i mbajtur rendin e ligjin.

Ministria e Brendshme tha se ndërmori hapa pas vrasjes së të paktën 26 personave nga dy shpërthime afër zyrave të kandidatëve në provincën jugperëndimore të Baloçistanit të mërkurën. ISIS-i e mori përgjegjësinë për këto sulme, raporton agjencia “Reuters”.

“Si rezultat i incidenteve të fundit të terrorizmit në vend, jetë të çmueshme janë humbur, masat e sigurisë janë thelbësore për t’i mbajtur ligjin dhe situatën e rendit dhe për t’u ballafaquar me kërcënime të mundshme” – tha kjo ministri në rrjetin X.

Mijëra trupa u dislokuan rrugëve dhe në qendra të votimit në mbarë vendin, ndërsa kufiri me Iranin dhe Afganistanin u mbyll përkohësisht.

Katër policë u vranë nga një shpërthim bombe dhe nga të shtënat që në shënjestër kishin një patrullë policie në zonën Kulachi të distriktit Dera Ismail Khan, tha komandanti i policisë lokale, Rauf Qaisrani.

Një person u vra, kur disa persona të armatosur hapën zjarr në drejtim të një automjeti të forcave të sigurisë në Tank, rreth 40 kilometra në veri.

Lajme të ngjashme