Përveç rrymës, Prishtina pritet të përballet edhe më mungesë të ngrohjes - NACIONALE

Përveç rrymës, Prishtina pritet të përballet edhe më mungesë të ngrohjes

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjatë dimrit, kryeqyteti mund të përjetojë një mungesë më të madhe si të energjisë elektrike ashtu edhe të ngrohjes. Rryma e reduktuar gjithashtu mund të çojë në uljen e numrit të orëve të ngrohjes në Prishtinë sepse ngrohja varet nga fuqia.

Sipas Afrdita Ukës, zëdhënëse e termocentralit “Termokos”, kjo Ngrohtore është totalisht e varur nga KEK-u.

Ajo në emisionin “60 minuta” të KTV-së ka thënë se sistemet e ngrohjes në bodrumet e objekteve furnizohen me energji elektrike, kështu që edhe në rast të ndërprerjes së rrymës do të pushojnë së funksionuari.

“Varemi kryekëput nga mundësitë e KEK-ut për të na furnizuar avullin. Që nga viti 2014 kemi furnizuar me ngrohje të mjaftueshme konsumatorët pa ndonjë ditë ndërprerje, me ndonjë përjashtim të rrallë”.

“Duhet ta dinë konsumatorët se meqë jemi të varur nga KEK-u, do të jemi të varur edhe nga reduktimet që do të kenë ata në orarin e furnizimin me energji elektrike për konsumatorët tanë. Në rastet kur termocentrali Kosova B do të na ofrojë avullin që marrim prej tyre për të furnizuar me ngrohje konsumatorët, kjo nuk do jetë e mjaftueshme në ato objekte banesore ku do ketë reduktime të energjisë pasi të gjitha pajisjet në stacionet ngrohëse nëpër bodrumet e objekteve punojnë me energji elektrike”, ka thënë Uka.

Uka shprehu besimin se qytetarët e “Termokosit” nuk do të kenë ndonjë problem të madh me shkurtimet disa orëshe.

“Shpresojmë se do kemi dimër pak më të lehtë se që po parashikohet ngase nëse ne furnizojmë me ngrohje për 24 orë me radhë pa ndërprerje dhe ato reduktime 2-3 orëshe qoftë nëse një ambient i brendshëm banesor ngrohet mjaftueshëm, besojmë se ajo energji termike që është akumuluar brenda objekteve banore do mjaftojë që ta përballojnë të ftohtin deri në rikthimin e furnizimin me energji” - tha ajo.

Lajme të ngjashme