Përurohet skulptura e Leotrimit të vrarë në luftë, në ceremoni merr pjesë edhe nëna e tij
Në 25-vjetorin e çlirimit, Komuna e Skenderajt e ka përuruar skulpturën e Leutrim Ahmetit, djaloshit 7-vjeçari të vrarë gjatë luftës nga forcat serbe.
Në ceremoninë e përurimit kanë marrë pjesë udhëheqësit komunalë, veteranë të UÇK-së, familjarë dhe dhjetëra qytetarë të kësaj komune.
Aty është parë edhe nëna e Leotrimit, Shukrije Ahmeti.
Me këtë rast, Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka folur për rëndësinë e kësaj dite.
“Në këtë datë në shënojmë dy momente të rëndësishme: ditën e çlirimit të Skenderajt dhe ditën e përkujtimit të dëshmorëve dhe martirëve të komunës sonë. Pa mbështetjen e shteteve mike, Kosovës vështirë do t’i vinte liria që ka pritur me shekuj. Kjo pjesë e sheshit të qytetit tonë nga sot do të personifikohet nga dy figura që u bënë të njohura me historinë e tyre. Nga Adem Jashari që personifikon trimërinë dhe guximin e trimave të UÇK-së duke dhënë jetën në shërbim të lirisë së popullit shqiptare për liri dhe nga Leutrim Ahmeti që përfaqëson çdo viktimë të vrarë në luftën e Kosovës. Pyetja e vetme që shtrohet më adresën e është se çfarë faji pati Leotrimi. Ai si 7 vjeçar në qendër të Skenderajt do të na ligjëroj mbi konventën e OKB-së për të drejtat e fëmijëve”, ka thënë Nura, transmeton EO.