Peruja në gjendje emergjente, bllokohen rreth 300 turistë në Machu Picchu - NACIONALE

Peruja në gjendje emergjente, bllokohen rreth 300 turistë në Machu Picchu

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Rreth 300 turistë nga pjesë të ndryshme të botës kanë mbetur të ngujuar në qytetin e lashtë të Perusë, Machu Picchu, sipas kryetarit të këtij atraksioni turistik, pasi Peruja ka hyrë në gjendje të jashtëzakonshme pas rrëzimit të presidentit.

Ish-presidenti Pedro Castillo u rrëzua nga parlamenti dhe u arrestua në fillim të këtij muaji, pasi e kishte bërë të ditur planin e tij për ta shpërndarë Kongresin. Trazirat e nxitura nga arrestimi i tij kanë ndikuar që të bëhen paralajmërime ndërkombëtare për të mos udhëtuar në Peru.

Kryetari i qytetit Machu Picchu, Darwin Baca, tha se në mesin e turistëve të ngujuar ka persona nga Peruja, nga vende të Amerikës Jugore, amerikanë dhe evropianë, raporton televizioni CNN, përcjell gazeta “Nacionale”.

“Kemi kërkuar nga qeveria që të na ndihmojë dhe të organizojmë fluturime me helikopter për t’i evakuuar turistët”- tha Baca. Sipas tij, e vetmja mënyrë për të hyrë dhe për të dalë nga qyteti, është me tren, por ky shërbim është pezulluar deri në një njoftim të ardhshëm.

Qarkullimi i trenit për në qytetin e mbrojtur nga UNESCO-ja u ndërpre të martën, sipas operatorit të trenave në rajonet jugore e juglindore të Perusë.

Lajme të ngjashme