Përsëri tërmet i fuqishëm në Meksikë, raportohet për një të vdekur - NACIONALE

Përsëri tërmet i fuqishëm në Meksikë, raportohet për një të vdekur

1 javë më parë

nga NACIONALE

Një tërmet me fuqi prej 6.8 shkallësh e goditi pjesën perëndimore të Meksikës të enjten herët, duke mbytur një grua në kryeqytetin Mexico City, e cila u rrëzua dhe ra me kokë. Banorët u larguan nga shtëpitë gjatë tërmetit të dytë në Meksikë brenda javës.

Qeveria lokale e kryeqytetit tha se një grua u rrëzua shkallëve të shtëpisë në lagjen qendrore, Doctores, kur ranë zilet e alarmit dhe ndërtesat filluan të lëkundeshin, raporton agjencia “Reuters”.

Autoritetet thanë se në pjesët e tjera të vendit nuk ka raportime të menjëhershme për dëme serioze.

Në lagjen Roma Sur, banorët e alarmuar vrapuan për të dalë jashtë në rroba nate, disa të mbështjellë vetëm me batanije. Fqinjët e qetësonin njëri-tjetrin, duke mbajtur fëmijë që qanin e kafshë shtëpiake, përderisa alarmi për tërmet u dëgjua katër herë.

Epiqendra e tërmetit, që ndodhi rreth orës 1 e 16 minuta pas mesnatës sipas kohës lokale, ishte në rajonin Michoacan, jo larg nga vendi ku ndodhi tërmeti tjetër të hënën.

Sistemi për Paralajmërim për Cunami i ShBA-së tha se tërmeti i ri nuk paraqet rrezik për cunami. Pas tërmetit të së hënës, Qendra Paralajmëruese e Paqësorit për Cunami lëshoi paralajmërim për cunami.

Lajme të ngjashme