Përplasje Mali i Zi-Serbi: Vuçiq e akuzon Podgoricën për “riedukim” të serbëve, Spajiq i kundërpërgjigjet ashpër-'mos u bëj PR i Rusisë'
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kritikuar marrëdhëniet aktuale mes Beogradit dhe Podgoricës, duke deklaruar se Mali i Zi dëshiron t’i “riedukojë” serbët dhe se synon marrëdhënie sa më të këqija me Serbinë.
Duke komentuar raportet mes dy vendeve, Vuçiq ka kritikuar edhe politikën e jashtme të Podgoricës, veçanërisht mbështetjen e saj ndaj sanksioneve evropiane kundër Rusisë.
Ndaj deklaratave të presidentit serb ka reaguar kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, i cili ka theksuar se Podgorica nuk dëshiron konflikt me Beogradin, por marrëdhënie të mira fqinjësore dhe një orientim të qartë evropian.
“Mali i Zi nuk dëshiron konflikt me Serbinë. Duam marrëdhënie të mira fqinjësore, por edhe një politikë të qartë evropiane, të cilën, duket qartë, zoti Vuçiq nuk dëshiron ta kuptojë”, ka thënë Spajiq.
Spajiq ka kritikuar gjithashtu Vuçiqin për deklaratat e tij lidhur me Rusinë dhe luftën në Ukrainë, duke e pyetur presidentin serb për politikën e Beogradit ndaj Moskës dhe Perëndimit.
“Nuk është fort e përshtatshme që, nga pozita e tij, të marrë rolin e PR-it të Rusisë dhe t’u japë të tjerëve leksione për parimësinë”, ka deklaruar kryeministri malazez.
Më pas, Spajiq i ka drejtuar një pyetje të drejtpërdrejtë presidentit serb:
“Prandaj, një pyetje e thjeshtë për presidentin Vuçiq: si është e mundur që Serbia, sipas të dhënave të disponueshme, është një nga burimet më të rëndësishme të armëve dhe municionit për Ukrainën, ndërsa Moskës i dërgon një mesazh dhe Evropës një tjetër?”
Spajiq ka thënë se Mali i Zi nuk ka problem me qëndrimet e qarta, por me, siç i ka quajtur ai, “standardet e dyfishta”.
“Ne në Mal të Zi nuk kemi problem me një qëndrim të qartë. E kemi vetëm me standardet e dyfishta.”
Deklaratat e Spajiqit vijnë pas përplasjes verbale me Vuçiqin lidhur me orientimin politik dhe të jashtëm të Malit të Zi, veçanërisht për raportet me Serbinë, Rusinë dhe Bashkimin Evropian.
Crna Gora ne želi sukob sa Srbijom. Želimo dobrosusjedske odnose, ali i jasnu evropsku politiku koju, očigledno, gospodin Vučić ne želi da razumije.
— Milojko Spajić (@MickeySpajic) August 11, 2026
A nije baš primjereno da sa njegove pozicije preuzima ulogu PR-a Rusije i drugima drži lekcije o principijelnosti.
Zato jedno… pic.twitter.com/9PZ6NqgE25