Perparim Rama: Mbushja e Drenicës me forca policore, nevojë e sëmurë e Kurtit për të projektuar autoritet
Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka reaguar pas intervistimit të kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, në lidhje me dyshimin për sulm ndaj kryetarit të Degës së VV-së atje, Hysni Mehani, duke thënë se “Skenderaj sot u përdor si skenë për manipulim politik të radhës nga Albin Kurti”.
“Sot, Skenderaj u shfrytëzua për të nxitur përçarje mes qytetarëve, për të krijuar tensione artificiale dhe për të prodhuar një klimë konfrontimi politik. Kur një Kryeministër përdor institucionet, policinë dhe retorikën për të ndarë qytetarët dhe për të thelluar polarizimin shoqëror, ai nuk po qeveris ai po MANIPULON” – shkroi Rama në llogarinë e tij në “Facebook”.
Rama e përmendi edhe faktin që Kurti ka refuzuar t’i përgjigjet një ftese të Prokurorisë Speciale të Kosovës, duke thënë se “ai [Kurti] është mbi ligjin, ai është ligji”.
“Fakti që Drenica mbushet me forca policore tregon nevojën e tij të sëmurë për të projektuar autoritet dhe për të ushqyer një logjikë hakmarrjeje politike” – shkroi më tej kryetari i kryeqytetit.
“Ky tensionim i qëllimshëm dhe këto tentativa për destabilizim politik dhe shoqëror janë jashtëzakonisht të RREZIKSHME për popullin dhe shtetin e Kosovës” – tha më tej Rama.