Përmbytjet në Nepal: 898 punëtorë të hidrocentraleve rezultojnë të zhdukur
Gati 900 punëtorë nepalezë, të angazhuar në projekte hidroenergjetike, rezultojnë të zhdukur pas përmbytjeve të fuqishme që kanë goditur vendin, sipas të dhënave të përpiluara nga Shoqata e Pavarur e Prodhuesve të Energjisë në Nepal, shkruan CNN.
Sipas të dhënave, 898 punëtorë figurojnë të zhdukur, ndërsa rreth 361 të tjerë janë shpëtuar deri më tani.
Vërshimet e papritura kanë shkaktuar dëme të mëdha në dhjetëra projekte hidroenergjetike pranë kufirit Nepal–Kinë. Shumë prej këtyre projekteve ndodhen në zona të thella dhe të vështira për t’u aksesuar, përgjatë grykave të lumenjve.
Autoritetet dyshojnë se një numër i madh punëtorësh vazhdojnë të jenë të bllokuar në kantieret e ndërtimit dhe në tunele, ndërsa operacionet e shpëtimit po vështirësohen nga terreni dhe dëmet e shkaktuara nga përmbytjet.
Për shkak të pamundësisë për të arritur tek të bllokuarit, Qeveria e Nepalit ka kërkuar ndihmë të specializuar nga India dhe Kina, veçanërisht ekspertë me përvojë në operacionet e shpëtimit në tunele.