Përkujtohet dyvjetori i rënies heroike të rreshterit Afrim Bunjaku
Prishtinë, 24 shtator 2025 – Nën patronatin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, sot u zhvilluan aktivitete solemne për shënimin e dyvjetorit të rënies së Heroit të Kosovës, rreshter Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën gjatë sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023.
Ceremonitë nisën në orën 10:00 me vizitën e krerëve shtetërorë, përfshirë kryeministrin në detyrë Albin Kurti, kryeparlamentarin Dimal Basha, ministrin në detyrë Xhelal Sveçla dhe drejtorin e Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, në familjen e heroit Bunjaku. Aty u shprehën ngushëllimet dhe u përkujtua sakrifica e tij.
Më pas, në orën 10:30, u mbajtën homazhe pranë varrit të rreshterit Bunjaku, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore, ndërkombëtare dhe familjarët e heroit. Në nder të tij u vendosën kurora me lule nga krerët shtetërorë dhe zyrtarë të lartë.
Në orën 15:00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë u zhvillua akademia përkujtimore, ku drejtuesit e institucioneve dhe të Policisë së Kosovës theksuan rëndësinë e kujtimit të jetës dhe veprës së Bunjakut, si simbol i trimërisë dhe përkushtimit për atdheun.
Në fjalën e tij, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, kujtoi ngjarjen e 24 shtatorit 2023 si njërën nga sfidat më serioze të sigurisë në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë. Ai tha se rreshteri Afrim Bunjaku ra heroikisht në mbrojtje të vendit, duke e bërë uniformën e policisë simbol të sakrificës dhe besnikërisë ndaj atdheut.
“Gjaku i derdhur në Banjskë është besa e mbajtur për drejtësi. Lavdi dëshmorit Afrim Bunjaku! Mirënjohje të thellë për policët e Kosovës që çdo ditë ruajnë vendin dhe qytetarët!”, u shpreh kolonel Hoxha në fund të fjalimit.
Policia e Kosovës ritheksoi se do të mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e rendit dhe sigurisë së vendit, ndërsa kujtimi i rreshterit Bunjaku do të mbetet përherë pjesë e historisë së re të Kosovës.