Përkrahësja e zjarrtë e VV-së që është anëtare në KPM: Ka pasur shkelje brenda komisionit tonë
Luljeta Aliu, analiste e njohur për përkrahjen e zjarrtë të VV-së, tash anëtare në KPM, ka marrë fjalën në raportimin e këtij komisioni në Kuvend.
Ajo duket se vazhdon përkrahjen absolute të partisë, pavarësisht se është anëtare në një institucion të pavarur e kushtetues.
“Ka pasur shkelje, parregullsi, edhe mungesë transparence brenda për brenda komisionit tonë. Kjo për mua përbën një provë e cila do të duhej të dërgohej në Prokurori për të parë nëse ka ekzistuar mashtrimi, jo vetëm ndaj qytetarëve, por edhe ndaj KPM-së. ‘ArtMotion’ na ka dhënë se i ka të drejtën e transmetimit deri në fund të dhjetorit, nga ‘DigitAlbi’ është dhënë sqarimi se ata kanë mundur ta transmetojnë deri në fund të janarit”, ka deklaruar Aliu.
Fitim Veliu, anëtari tjetër i KPM-së, ka thënë se i ka dhënë përkrahje iniciativës së Aliut për të çuar në Prokurori këtë lëndë.