Përhapet ebola në lindje të Kongos, 65 të vdekur e rreth 250 raste - NACIONALE

Përhapet ebola në lindje të Kongos, 65 të vdekur e rreth 250 raste

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Agjencia kryesore e shëndetësisë në Afrikë ka shpallur përhapje të ebolës në provincën lindore të Republikës Demokratike të Kongos, Ituri.

Rreth 246 raste e 65 të vdekur janë raportuar, kryesisht në qytezat Mongwalu dhe Rwampara, thanë Qendrat e Afrikës për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), raporton televizioni BBC.

Në deklaratën e publikuar të premten, kjo agjenci shtoi se do të organizojë një takim me përfaqësues të Kongos, Ugandës, Sudanit të Jugut dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë për t’i diskutuar prioritetet, përfshirë përpjekjet për reagim dhe vëzhgimin ndërkufitar.

Ebola ishte zbuluar së pari në vitin 1976 në atë që sot është territor i Kongos dhe mendohet se është përhapur përmes lakuriqëve. Ky është rasti i 17-të i përhapjes së sëmundjes vdekjeprurëse në shtetin afrikan.

Ebola përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngje trupore dhe përmes lëkurës së dëmtuar, duke shkaktuar gjakderdhje të rëndë dhe dështim të funksionimit të organeve.

Në mesin e simptomave të hershme janë ethet, dhimbja muskulore, plogështia, dhimbja e kokës dhe dhimbja e fytit. Ato pasohen me vjellje, diarre, skuqje të lëkurës dhe gjakderdhje.

Nuk ka ilaç të dëshmuar për mposhtjen e ebolës. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shkalla mesatare e vdekshmërisë është rreth 50 për qind.

Lajme të ngjashme