Përhapen zjarret afër Athinës, evakuohen banorët
Mijëra banorë po evakuohen nga shtëpitë e tyre, pasi një zjarr i madh në natyrë po vazhdon të përhapet në veri të kryeqytetit grek, Athinë. Flakët kanë arritur në lartësi deri në 25 metra.
Zona historike e Marathon-ës është në mesin e pjesëve ku banorët po vendosen në vende të sigurta nga shërbimet emergjente, raporton televizioni BBC.
Disa shtëpi e prona në qytezën e afërt, Varnavas, po digjeshin, sipas zjarrfikësve. Zjarrfikësit po evakuonin njerëz të ngujuar nga zjarri në një autokolonë prej 20 deri në 25 automjetesh që po mundoheshin të largoheshin nga zona.
Dyzet zjarre kanë shpërthyer në Greqi nga pasditja e së shtunës, ndërsa zjarrfikësit ende janë duke luftuar me shtatë sosh.
Zjarrfikësit punuan gjatë tërë natës, “por pavarësisht nga përpjekjet super-njerëzore, zjarri u zhvillua shpejt”, tha të hënën në mëngjes zëdhënësi Vassilis Vathrakogiannis.
Më shumë se 500 zjarrfikës dhe 150 automjete janë dislokuar për ta ndihmuar luftën kundër zjarreve. Zëdhënësi grek tha se zjarri ishte duke lëvizur drejt fshatit Penteli, në veriperëndim të Athinës, dhe se dy spitale po evakuoheshin në agim.
Ministri i Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile, Vassilis Kikilias, paralajmëroi se moti tepër i rrezikshëm do të vazhdonte. Greqia porsa i ka regjistruar qershorin dhe korrikun më të nxehtë në histori.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, u kthye në Athinë të dielën, duke i ndërprerë pushimet para kohës, për t’u marrë me krizën e zjarreve./Nacionale