Përfundon armëpushimi i përkohshëm, Ukraina raporton për shumë sulme ruse me dronë
Ushtria ukrainase ka raportuar për sulme ruse me dronë në disa rajone gjatë natës së kaluar, vetëm disa orë pas përfundimit të një “armëpushimi të Pashkëve”, që zgjati 30 orë dhe që u shpall nga Moska.
Forcat ajrore ukrainase lëshoi alarme për sulme ajrore për rajonet: Kiev, Kherson, Dnipropetrovsk, Cherkasy, Mykolaiv dhe Zaporizhia.
Në qytetin jugor të Mykolaivit, kryetari Oleksandr Senkevych tha se “u dëgjuan shpërthime”. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse kishte ndonjë viktimë, raporton televizioni BBC.
Ushtria ruse nuk i ka komentuar sulmet e raportuara. Armëpushimi i shpallur nga presidenti rus, Vladimir Putin, përfundoi të dielën në mesnatë sipas zonës kohore të Moskës. Të dyja palët e akuzuan njëra-tjetrën për shkeljen e armëpushimit.
Të hënën herët, banorëve të disa qyteteve ukrainase, përfshirë kryeqytetin Kiev, iu bë thirrje nga autoritetet lokale që të shkonin menjëherë në strehimore për shkak të rrezikut nga sulmet me dronë.
Në rajonin e Kievit, zyrtarë lokalë thanë se forcat e mbrojtjes ajrore ishin “duke punuar rreth caqeve”.
Forca ajrore e Ukrainës gjithashtu raportoi për “rrezik nga raketat” në rajonet qendrore dhe tha se aeroplanët luftarakë rusë ishin “aktivë në drejtimet e lindjes dhe të verilindjes”.