Përfundojnë gërmimet në lokacionin e dyshuar për varrezë masive, mbetjet dërgohen për analiza ADN-je
Gërmimet në lokacionin e dyshuar për varrezë masive kanë përfunduar pas rreth katër javësh punë, ka bërë të ditur Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Gara tha për Klan Kosova se gjatë kësaj periudhe janë përfunduar proceset e vlerësimit të lokacionit dhe zhvarrosjes së mbetjeve mortore.
“Saktë janë diku rreth katër javë pune në kuptimin e angazhimit. Realisht, mund të konfirmohet që hapësira tanimë është shënuar në kuadër të lokacioneve të konfirmuara të varreve masive”, tha Gara.
Sipas tij, të gjitha mbetjet mortore të zhvarrosura janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), ku do t’u nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme, përfshirë analizat e ADN-së.
Gara tha se procesi i identifikimit të viktimave mund të zgjasë më shumë, pasi rezultatet e analizave të ADN-së kërkojnë kohë.
Ai theksoi se familjarët e viktimave do të njoftohen menjëherë pasi institucionet të pranojnë raportet përfundimtare të ADN-së.
“Procesi i identifikimit përmes analizave të ADN-së mund të marrë pak më shumë kohë. Në momentin që do të pranojmë raportin e ADN-së, do të ndjekim hapat e nevojshëm dhe pashmangshëm një nga hapat e menjëhershëm do të jetë njoftimi i familjeve”, tha Gara.
Sipas tij, institucionet e Kosovës do ta trajtojnë procesin me prioritet dhe profesionalizëm, ndërsa familjet do të informohen sapo të ketë rezultate të konfirmuara për identitetin e mbetjeve të gjetura.