Për të pestën herë dështon të mbahet gjykimi në rastin “Syri i Popullit”
Me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit Avni Llumnica, avokatit Naim Rudari, ka dështuar të mbahet gjykimi në rastin ku Llumnica, akuzohet për tentim vrasje të Azem Vllasit në bashkëkryerje me të ndjerin, M.J, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I dyshuar tjetër në këtë rast është edhe Sadri Ramabaja, i cili akuzohet se kishte ndihmuar të akuzuarin që të kryente vepren penale të vrasjes në tentativë.
“Kjo seancë nuk mbahet sepse ka bë kërkesë avokati i Avni Llumnicës, Naim Rudari, me arsyetim se klienti i tij këtu i pandehuri Avni Llumnica është i sëmurë”, tha gjykatësi Konxheli.
Seancat e radhës për këtë çështje penale janë caktuar për 2 dhe 29 shtator 2022.
Ndryshe, seanca e fundit për këtë çështje kishte dështuar të mbahet për shkak të mungesës së anëtares së trupit gjykues, gjykatëses Valbona Musliu-Selimi.
Në këtë çështje penale, në cilësinë e të akuzuarit ka qenë edhe Bajrush Konjusha, mirëpo ai pas pranimit të fajësisë për armëmbajtje pa leje, është dënuar me 300 euro gjobë.
Ky rast kishte marrë epilog në janar të vitit 2020, kur Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur fajtorë të akuzuarit, por pas ankesave të ushtruara, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në pikën zero.
Duke vepruar konform rekomandimeve të Apelit, PSRK kishte ngritur aktakuzë të re në këtë rast.
Sipas aktakuzës së 27 tetorit 2020, Sadri Ramabaja, Avni Llumnica dhe Bajrush Konjusha janë tashmë të vetmit të akuzuar në këtë rast.