Për shkak të shamisë, përjashtohet mësuesja e matematikës në Suharekë - NACIONALE

Për shkak të shamisë, përjashtohet mësuesja e matematikës në Suharekë

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Arsimtarja e matematikës, në një shkollë të komunës së Suharekës, Remzie Lezi, në fashatin Reshtan të komunës së Suharekës është përjashtuar nga puna për shkak të vendosjes së shamisë.

Sipas një dokumenti të publikuar në rrjete sociale, Këshilli Drejtues i Shkollës ka vendosur në mënyrë unanime, që Lezi të përjashtohet nga shkolla.

Duke u mbështetur në UA NR 03/2016, neni 3 pika 7, që ndalon bartjen e uniformës fetare, i gjithë Këshilli unanimisht vendosi, që nuk i lejohet arsimtares së matematikës, z. Remzie Lezi të ushtrojë profesionin e mësuesisë në shkollën tonë me uniformë fetare”, thuhet në dokument.

Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, avokati i arsimtares së larguar nga puna Muhamet Mujaj, ka thënë se vendimin përfundimtar do ta japë Drejtoria Komunale.

Për lejimin e shamisë në shkolla, para një muaji ishte zhvilluar edhe një fushatë në rrjete sociale.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe deputeti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani, i cili përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se dokumenti për largimin e mësues nga puna nuk ka vlerë juridike.

"Ky dokument juridikisht nuk ka asnjë vlerë. As drejtori, e as Këshilli Drejtues i shkollës nuk mundet me largu prej pune asnjë mësimdhënës.Drejtoria e arsimit është përgjegjëse për pranimin dhe largimin nga puna të mësimdhënësve", ka shkruar ai.

Kryeministri Albin Kurti, në një konferencë për media e kishte shprehur qëndrimin e tij në lidhje me fushatën e nisur kundër ndalimit të shamisë në shkollat e mesme.

Ai kishte thënë se shamia duhet të lejohet në institucionet publike e edhe në shkolla, por jo nën moshën 16-vjeçare.

Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kishte thënë se udhëzimi administrativ që e ndalon bartjen e shamisë në shkolla nuk do të ndryshojë.

Lajme të ngjashme