Peja bëhet me përmendore të Ibrahim Rugovës
Në Ditën e Pavarësisë, qyteti i Pejës është bërë me shtatore të Ibrahim Rugovës.
Në ceremoninë e zbulimit të shtatores së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, kanë marrë pjesë familjarë, udhëheqës të LDK-së dhe shumë aktivistë të kësaj partia.
Me këtë rast, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar lartë figurën e Rugovës.
Ai ka thënë se më këtë veprim po nderohet edhe Republika e Kosovës.
“Në këtë të ditë të bekuar, presidenti Rugova që ishte skalitur në zemrën e çdo shqiptari, po skalitet edhe në bronz në qytetin ku e përfundoi shkollimin e mesëm. Në vizionin e tij ne edhe sot gjejmë integrimin euroatlantik dhe bashkëpunimin me shtetet aleate. Me këtë po nderojmë Republikën pasi Republika dhe Rugova janë një”, ka thënë Abdixhiku, raporton Koha.net.
Para të pranishmeve ka marrë pjese edhe Ukë Rugova, djali i presidentit.
Ai ka thënë se kjo është ditë e veçantë për familjen Rugova.
“Kjo ditë e cila shënon edhe përvjetorin e njohjeve formale të shteteve për Kosovën, është ditë e veçantë për familjen tonë. I uroj qytetarët e Pejës për këtë shtatore të cilën do ta gëzojnë. Zoti ju bekoftë të gjithëve, por mbi të gjitha i bekoftë aleatët e Kosovës, SHBA-në dhe shtetet evropiane”, është shprehur djali i ish-presidentit.