Peci mburret me përkrahjen për Krushën, por shkruan gabimisht një numër marramendës
Ministri i Bujqësisë i Kosovës, Faton Peci, përmes një shkrimi në rrjetin “Facebook” është krenuar me mbështetjen që Ministria e Bujqësisë ua ka dhënë 30 grave të Krushës përmes subvencioneve dhe granteve. Sidoqoftë, mësa duket ministri nuk di si t’i shkruajë numrat e mëdhenj.
“1,933,327.85 milionë euro për Krushën! Brenda mandatit tonë qeverisës, 1,933,327.85€ është vlera e mbështetjes financiare me të cilën janë përkrahur 30 gra në mesin e shumë përfituesve, fermerë të Krushës përmes subvencioneve dhe granteve. Për tokën e larë me gjak të Krushës, për tokën e begatë të Kosovës!” – shkroi Peci.
Që në fillim të shkrimit, ai, me gjasë pa vetëdije, shkroi një numër që nuk do ta përballonte dot as buxheti i Shteteve të Bashkuara, e lëre më buxheti i Kosovës: 1,933,327.85 milionë euro.
Kur një numër milionësh shkruhet i tëri me numra, pa përdorur fjalë, nuk duhet t’i vendoset emri “milion” në fund, sepse ndryshohet në masë shumë të madhe vlera e numrit.
Në rastin e Pecit, në mënyrën se si e ka shkruar ai numrin, i bie që grave të Krushës u janë dhënë shumë më shumë para se 1.9 milion euro, sepse emri “milion” i referohet tërë shifrës para tij.
Për shembull, nëse shkruajmë 1.000 mijë euro, vlera e vërtetë është një milion, pra një mijë njëmijëshe. Prandaj, shkruhet 1.000 euro, 1 mijë euro ose një mijë euro, por assesi 1.000 mijë euro.
Pra, numri duhet të shkruhet ose i tëri me shifra – 1.933.327,85 – ose me numra e me fjalë, por ku secila fjalë i referohet shifrës përkatëse – 1 milion e 933 mijë e 327 euro e 85 centë – ose i tëri me fjalë – një milion e nëntëqind e tridhjetë e tre mijë e treqind e njëzet e shtatë euro e tetëdhjetë e pesë centë./Nacionale/N.Abdyli