Peci: Ky vit do të mbahet mend për njohjen e Kosovës nga Kenia, Sudani dhe Siria - NACIONALE

Peci: Ky vit do të mbahet mend për njohjen e Kosovës nga Kenia, Sudani dhe Siria

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, ka bërë me dije se viti 2025 do të mbahet mend vetëm për njohjen e Kosovës nga Kenia, Sudani dhe Siria.

Ai ka vlerësuar se këto tri njohje kanë krijuar një dinamikë të re të legjitimitetit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës.

Në profilin e tij në “Facebook”, Peci ka treguar se këto njohje janë rezultat i ndryshimeve gjeopolitike në Lindjen e Mesme.

“Ky vit do të mbahet mend për së mbari, veçanërisht për tri njohjet e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. Njohjet nga Kenia, Sudani dhe Siria kanë krijuar një dinamikë të re të legjitimitetit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës, që dukej se ishte shterur pas njohjes së fundit nga Izraeli në vitin 2020. Kjo dinamikë e re, ndër të tjera, është rezultat i ndryshimeve gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe në nivel global: dobësimit të ndikimit rus pas agresionit në Ukrainë, lidershipit të administratës së Presidentit Trump, rënies në gjunjë të Iranit, si edhe fillimit të një konvergence midis Turqisë dhe Arabisë Saudite mbi çështjet e Lindjes së Mesme”, ka shkruar ai, duke treguar për efektin e këtyre njohjeve.

“Këto njohje, dhe të tjerat që mund t’i pasojnë, do t’i hapin rrugë vendit tonë edhe për anëtarësim në INTERPOL dhe UNESCO. Megjithatë, për ta arritur këtë na nevojitet mbështetje e fuqishme nga vendet perëndimore, e cila, në rrethanat e tanishme, vështirë se është e arritshme. Shpresoj që së shpejti të krijohen kushte për tejkalimin e këtyre vështirësive, dhe për këtë na duhet një lidership qeveritar progresiv e liberal, me agjendë të qartë reformuese dhe të politikës së jashtme, i cili do të mund të krijojë rrethana të favorshme për një mbështetje të fuqishme perëndimore. Me këtë përkrahje, përveç anëtarësimit në këto dy organizata, do të mundësohet edhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës, si dhe kapërcimin e bllokadave që vijnë nga “pesëshja” mosnjohëse e BE-së. Nuk e kemi komoditetin që për shkak të një lisi të mos e shohim malin!”, ka shkruar ai.

Lajme të ngjashme