Peci i rri besnik Kurtit, nuk e përkrah protestën e komunave para qeverisë
Kryetari i Mitrovicës ka kundërshtuar protestën e paralajmëruar më 1 shtator nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, para qeverisë. Ai duke iu drejtuar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, është shprehur se nuk e mbështet këtë protestë dhe se sipas tij, përgjegjësit e krizave nëpër buxhetet komunale nuk janë qeveria aktuale, por njerëz që qëndrojnë në tavolinë me Ramën, sipas tij.
E plotë:
JO në emrin tim dhe të Mitrovicës, Përparim!
E kuptoj tendencën tënde për të luajtur rolin e liderit opozitar karshi Qeverisë, por nuk kam mirëkuptim karshi tendencës të flasësh në emër të të gjithë kryetarëve të komunave, e aq më pak të Mitrovicës.
Nëse diçka e dëmton interesin publik dhe qytetar, si dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, është tendenca e krisur që disa komuna t’ia bëjnë opozitën Qeverisë.
Ata që i paskan shkaktuar 334 milionë euro dëm (nëse po flisni për kontratën kolektive) i ke në tavolinë, po ti s’e di kontekstin institucional dhe politik në vend, dhe për këtë dëm prej qindra milionë eurosh askush nuk është ftuar as në intervistim, as për të dhënë shpjegim.