Peci: 17 mijë hektarë më shumë sipërfaqe të mbjella me misër se sa vitin e kaluar
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se këtë vit në Kosovë janë mbjellur 17 mijë hektar misër më shumë se sa vitin e kaluar.
Peci ka vizituar një fermer në Ferizaj, ku sipas tij, falë mbështetjes qeveritare ky fermer ka mbjellur 70 hektarë me misër.
Statusi i plotë:
Mbi 17 mijë hektarë apo 90% më shumë sipërfaqe të mbjella me misër se sa vitin e kaluar!
Te Shukri Sallahu nga fshati Zllatar i komunës së Ferizajt pashë një vullnet të pashoq, një njeri të zellshëm, të thjeshtë e tejet falenderues.
Falë mbështetjes së deritanishme dhe rritjes së subvencioneve për misrin e grurin për Programit për Pagesa Direkte 2022, ai ka kultivuar gjithsej 140 hektarë ku nga këto rreth 70 hektarë me misër. Në hambarin e tij prej 56 metra gjatësi, ai ruan rendimentin e marrë nga misri e që arrin shifra të larta të rendimentit.
Shukriu, përvec se me bujqësi, ai mbarështon edhe 30 dema për majmëri duke e diversifikuar veprimtarinë e fermës së tij.
Përkrahja financiare e Ministrisë së Bujqësisë ndaj bujqve, nuk do të mungojë për asnjë sektor e asnjë program mbështetës, përderisa kemi të tillë bujq e blegtorë të vyer që e duan tokën, me zellin më të madh e punojnë atë dhe kanë besim të palëkundur tek dora e shtetit.