PE miraton rregulla të reja për azil, Kosova në listën e vendeve të sigurta
Parlamenti Evropian miratoi sot ndryshime në rregullat e BE për procedurat e azilit, me synimin për të përshpejtuar shqyrtimin e kërkesave, raportoi N1.
Eurodeputetët mbështetën krijimin e një liste të përbashkët të BE-së për vendet e sigurta të origjinës dhe votuan pro një rregulloreje që përcakton zbatimin e konceptit të “vendit të tretë të sigurt”.
Sipas Parlamentit, lista e re do të mundësojë përpunim të përshpejtuar të kërkesave nga shtetasit e Bangladeshit, Kolumbisë, Egjiptit, Kosovës, Indisë, Marokut dhe Tunizisë.
Rregullat e reja parashikojnë që barra e provës t’i takojë aplikantit, i cili duhet të dëshmojë se, në rastin e tij, ekziston frikë e bazuar përndjekjeje ose rrezik serioz nëse kthehet në vendin e origjinës.
Vendet kandidate për anëtarësim në BE do të konsiderohen gjithashtu të sigurta, përveç rasteve kur rrethana specifike tregojnë të kundërtën.
Raportuesi Alessandro Ciriani deklaroi se lista “shënon një pikë kthese politike në menaxhimin e migracionit në BE”.
“Me këtë legjislacion, përfundon një periudhë paqartësie dhe vendoset një drejtim i qartë: rregulla të përbashkëta, procedura më të shpejta dhe më efikase, mbrojtje e së drejtës për azil për ata që e meritojnë dhe një qasje e vendosur kundër abuzimit”, tha ai.