PDK e kishte paralajmëruar: Zvarritja e Kuvendit synon zgjedhjet më 27 dhjetor
Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, kishte paralajmëruar më 11 gusht se shtyrja e konstituimit të Kuvendit synonte mbajtjen e zgjedhjeve më 27 dhjetor 2026.
Ky paralajmërim i parapriu vendimit të VV-së për ta mbështetur kandidaten e PDK-së, Vlora Çitaku, pas refuzimit për ta votuar të premten.
Në postimin e tij në Facebook, Tahiri akuzonte Kurtin se po e përshtaste kalendarin institucional me interesat politike.
“Albin Kurtit nuk i interesojnë afatet kushtetuese. I intereson skenari i tij. Objektivi është i qartë: zgjedhjet e reja më 27 dhjetor 2026. Kuvendin do ta konstituojë, por jo tani. Synimi i tij është që konstituimi të bëhet afërsisht mes 13 dhe 28 shtatorit, në mënyrë që, sipas skenarit politik e procedural, Albin Kurti dhe Ushtruesja e Detyrave të tij si Presidente të mund ta caktojnë 27 dhjetorin si datë të zgjedhjeve të reja”, shkruante Tahiri.
Sipas deputetit të PDK-së, konstituimi i Kuvendit në gusht do t’ia kufizonte Kurtit mundësinë për manovrim.
Të premten, VV-ja kërkoi që PDK-ja ta zëvendësonte Çitakun. Një ditë më vonë, njoftoi se do ta votonte.