Pazari 16 milionësh në ministrinë e Liburn Aliut: Publikohet raporti i plotë i auditorit
Keqpërdorimet në tenderin për mirëmbajtjen e dy autostradave, në vlerë prej 16 milionë euro, në ministrinë e Infrastrukturës, në krye me Liburin Aliun, janë zbardhur nëpërmjet publikimit të raportit të plotë të Auditorit të Brendshëm në ministrinë e Infrastrukturës.
Dokumentet e siguruara nga gazeta Insajderi tregojnë se “publikimi i Paramasave dhe Parallogarive me Sasi Indikative nuk ishte i njëtrajtshëm sepse nuk ishin publikuar të gjitha periudhat e synuara për kontraktim për të gjitha llotet, gjithsej 4 sish”.
Tutje thuhet se “me rastin e publikimit të Paramasave me Sasi Indikative për vit të korrigjuara me ngjyrë të kuqe në bazë të të cilave OE ofertojnë me çmimin për njësi, janë bërë manipulime të qëllimshëme për t’i hutuar ofertuesit tjerë përveç atyre të shpallur “FITUES” sepse për Llotin 1,2 dhe 4 janë publikuar vetëm nga 1(një) Paramasë e korrigjuar ndërsa për Llotin 3 janë publikuar tri Paramasa për tri perudha kohore të ndara veç e veç siç janë: 2022/2023, 2023/2024, dhe 2024/2025! Kjo nënkupton se Ofertuesit e pa koordinuar me Divizionin e Prokurimit do të kishin mëdyshje të ofertonin me një Paramasë të korrigjuar për tri vite apo me tri Paramasa për tri vite”.
Bazuar në këto gjetje Auditori ka konstatuar se “ky Aktivitet i Prokurimit ishte i manipuluar, kurdisur dhe koordinuar me operatorët ekonomikë të caktuar. Ishte një konstruksion korruptiv me pasoja të mëdha të humbjeve financiarë për MMPHI”.
Sipas auditorit, për të shpëtuar nga dëmet e më tejme, ai ka rekomanduar që të anulohet menjëherë ky aktivitet i prokurimit.