Pas shkarkimit të Naser Sahitit, shpallet konkursi për pozitën e rektorit të UP-së
Këshilli Drejtues i Universiteti Publik të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka hapur konkursin për rektor të ri, pas shkarkimi të Naser Sahitit nga kjo pozitë të premten e shkuar.
Në këtë konkurs parashihen tri kushte për të gjithë kandidatët që pretendojnë të marrin pozitën e rektorit të UP-së.
“Të ketë përvojë të dëshmuar në mësimdhënie akademike, kërkim shkencor dhe të ketë gradën e profesorit të rregullt, të profesorit të asocuar ose të profesorit asistent. Të ketë përvojë menaxhuese universitare dhe të mos ketë qenë në pozita udhëheqëse në ndonjë parti politike apo në listë zgjedhore të ndonjë partie politike ose koalicioni në nivel qendror dhe lokal në tre vitet e fundit”, thuhet në konkurs.
Konkursi do të mbetet i hapur për 15 ditë.
Ndryshe, ushtrues detyre e Rektorit të UP-së, është Luljeta Plakolli Kasumi që u raportua se ka lidhje familjare me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
