Pas presionit dhe shtimit të dhunës, kryeministri i Haitit pajtohet që të japë dorëheqje - NACIONALE

Pas presionit dhe shtimit të dhunës, kryeministri i Haitit pajtohet që të japë dorëheqje

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Haitit, Ariel Henry, është pajtuar që të japë dorëheqje pas disa javëve me presion në rritje dhe dhunë të shtuar në shtetin e varfër.

Njoftimi i tij erdhi pas takimit të udhëheqësve rajonalë në Xhamajkë të hënën për ta diskutuar tranzicionin politik në Haiti, raporton televizioni BBC.

Henry tash për tash ka mbetur i ngujuar në Porto-Riko, pasi bandat e armatosura ia kanë parandaluar kthimin në atdhe.

Në një video-adresim, përmes të cilit e njoftoi dorëheqjen, Henry u bëri thirrje banorëve të Haitit që të qëndrojnë të qetë.

“Qeveria që jam duke e udhëhequr unë do të japë dorëheqje menjëherë pas instalimit të këshillit [të tranzicionit” – tha ai.

“Dua ta falënderoj popullin haitian për mundësinë që më është dhënë. Po u kërkoj të gjithë haitianëve që të qëndrojnë të qetë dhe të bëjnë gjithçka që munden për paqe dhe stabilitet për t’u kthyer sa më shpejt që është e mundshme “ – shtoi Henry.

Ai e ka udhëhequr Haitin gjoja në mënyrë të përkohshme nga korriku i vitit 2021, pas vrasjes së presidentit Jovenel Moise. Henry vazhdimisht i ka shtyrë zgjedhjet, duke thënë se fillimisht duhej të rivendosej siguria.

Lajme të ngjashme