Pas aksidentit fatal të 7-veçares, 200 mjete lundruese po verifikohen nga policia shqiptare
Katër ditë pas aksidentit fatal në Potam ku ish-shefi policisë përplasi për vdekje me mjet lundrues 7-vjeçaren, Jonada Avdia, policia shqiptare ka shoqëruar për verifikim 125 jet ski dhe 75 gomone.
Këto mjete ndonëse janë të pajisura me dokumentacionin përkatës do t’i nënshtrohen një kontrolli të rreptë si dhe do verifikohen nëse janë ose jo të vjedhura jashtë vendit.
Në rastet kur këto mjete janë të rregullta do të lejohen të dalin në det, por me kushte të reja të vendbazimit dhe të respektimit me rigorozitet të distancës nga bovat.
Ndërkohë për mjetet lundruese të cilat shërbejnë për turizëm, pasi janë verifikuar dhe kanë rezultuar të rregullta kanë vijuar aktivitetin e tyre normalisht.
Nga fillimi i sezonit veror në të gjithë Shqipërinë nga ana e policisë kufitare janë kontrolluar rreth 900 mjete lundruese, nga të cilat 65 janë ndëshkuar me masë administrative, ndërsa 25 të tjera kryesisht Jet ski dhe gomone të vogla, janë bllokuar sepse nuk kanë pasur dokumentacion të rregullt.