Parlamenti Evropian thotë se Hungaria nuk është më demokraci e plotë - NACIONALE

Parlamenti Evropian thotë se Hungaria nuk është më demokraci e plotë

1 javë më parë

nga NACIONALE

Hungaria nuk mund të cilësohet më demokraci e plotë, tha Parlamenti Evropian përmes një votimi të fuqishëm simbolik kundër qeverisë hungareze.

Në një rezolutë të përkrahur nga 81 për qind e deputetëve të pranishëm për votim, Parlamenti Evropian deklaroi se Hungaria është bërë “regjim hibrid i autokracisë së zgjedhur”, duke i përmendur dobësimin e demokracisë, të drejtave themelore dhe sundimin e ligjit.

Përderisa kjo rezolutë nuk ka efekt praktik, ajo e shton presionin ndaj autoriteteve të Bashkimit Evropian në Bruksel për të mos i ndarë Hungarisë miliarda euro, të cilat po mbahen për shkak të shqetësimit për korrupsion.

Hungaria po mundohet që ta bindë Komisionin Evropian që t’ia lëshojë 4.64 miliardë euro nga fondet për rimëkëmbje pas pandemisë së koronavirusit, që janë ngrirë për më shumë se një vit. Budapesti po mundohet gjithashtu që të shmangë një procedurë ligjore që mund të çojë në zbritje të fondit prej 24.3 miliardë eurosh, që ndahen për infrastrukturë dhe zhvillim ekonomik.

Pritet që Komisioni Evropian të propozojë ulje prej 70 për qind të fondeve për Hungarinë të dielën, por gjithashtu do ta hapë derën për kompromis, sipas dy deputetëve evropianë të afërt me këto diskutime.

Lajme të ngjashme