Parlamenti Evropian miraton rezolutën: Kërkon hetim ndërkombëtar për zgjedhjet në Serbi
Me një Rezolutë urgjente që ka miratuar të enjten,Parlamenti Evropian (PE) ka dënuar parregullsitë që janë raportuar gjatë zgjedhjeve të fundit në Serbi, kanë kërkuar hetim ndërkombëtar dhe kanë bërë ftesë që të kushtëzohet vazhdimi i procesit të negociatave të anëtarësimit me respektimin e standardeve demokratike të BE-së.
Serbia ka mbajtur zgjedhjet lokale, parlamentare dhe krahinore më 17 dhjetor 2023.
Rezoluta mori një mbështetje të fuqishme gjatë votimit. Në favor të Rezolutës votuan 461 deputetë, nga 557 sa ishin të pranishëm, kundër ishin vetëm 53 ndërsa abstenuan 43.
Në tekstin e Rezolutës, i cili ishte rezultat i bisedimeve të disa grupeve politike të PE-së, shprehet keqardhje për faktin se Serbia nuk ka siguruar zhvillimin e zgjedhjeve sipas standardeve dhe normave ndërkombëtare, si dhe për shkak të refuzimit të autoriteteve të Serbisë që të pranojnë se kanë ndodhur parregullsi në zgjedhje.
“Bëjmë thirrje për hetime të pavarura nga ekspertë dhe institucione të respektuara ndërkombëtarë për parregullsitë në zgjedhjet parlamentare, krahinore dhe lokale , me kujdes të posaçëm në zgjedhjet për Asamblenë e qytetit të Beogradit”, thuhet në Rezolutë. /REL