Parimet e LDK-së për marrëveshje: Haziri thotë se nëse VV ka vullnet i mbyllin për 24 orë krejt çështjet - NACIONALE

Parimet e LDK-së për marrëveshje: Haziri thotë se nëse VV ka vullnet i mbyllin për 24 orë krejt çështjet

1 orë më parë

nga NACIONALE

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për formimin e institucioneve të reja.

Nënkryetari i LDK-së, Lufti Haziri, tha se në kuvendin partiak të 30 korrikut është arritur pajtimi që partia të hyjë në procesin e negociatave me LVV-në.

“Në parim ne jemi pajtuar. Është konfirmuar edhe nga kuvendi që LDK-ja do të marrë pjesë në procesin e bashkëpunimit për ndërtimin e institucioneve, duke dhënë kontribut në përballimin dhe largimin e një mundësie për zgjedhje tjera në Kosovë”, tha Haziri për Radion Evropa e Lirë.

Haziri ka përmendur tri parimet e kësaj partie për bashkëpunimin me VV-në: marrëveshje për të gjitha institucionet ose për asnjërën, agjendë shtetërore dhe qeverisëse të përbashkët, si dhe ndarje të përgjegjësive.

“Këto tri parime neve na bashkojnë si Grup Parlamentar. Kuvendi [i LDK-së] ka kërkuar që kjo e drejtë të ushtrohet deri në fund. Se si do të përmbyllet kjo kërkesë, tani është çështje e negociatave [me LVV-në]”, ka thënë ai.

Ai bëri të ditur se LVV-ja është njoftuar me këto parime që në takimin e 10 korrikut mes Albin Kurtit, Lumir Abdixhikut dhe Vjosa Osmanit, ndërsa tani pret që partia fituese të tregojë nëse i pranon ato.

“Këto nuk janë çështje të thjeshta, por nëse ka vullnet politik dhe ka gatishmëri [nga LVV-ja], atëherë LDK-ja i përmbyll për 24 orë të gjitha çështjet parimore. Neve [në LDK] nuk na ndan asgjë, ndërkaq ndarja e përgjegjësive është krejt e fundit”, u shpreh Haziri.

Lajme të ngjashme