Parcela e ndarë nga veri për Ministrinë e Sveçlës, Lista Serbe reagon me gjuhë tmerruese
Gjatë ditës së sotme, anëtarët e Asamblesë komunale të Mitrovicës së Veriut kanë miratuar propozimin për ndarjen e një parcele prej 27.400 metra katrorë për Policinë e Kosovës. E gjithë kjo pas një kërkese të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, që udhëhiqet nga ministri Xhelal Sveçla.
Kundër këtij vendimi ka reaguar Lista Serbe. Përmes një postimi në Facebook, Lista Serbe e ka cilësuar si vendim “ilegal”, që u mor pa ndonjë diskutim publik me qytetarët e Mitrovicës së Veriut.
Lista Serbe eskaloi në gjuhë, duke shkruar se “okupatorët nuk kanë nevojë për arsye për të kidnapuar, ngacmuar e frikësuar qytetarët”.
“Për shkak të këtij vendimi, Lista Serbe do të kërkojë një takim urgjent me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, para së gjithash me ambasadorët e Kuintës dhe të Bashkimit Evropian dhe do të kërkojë prej tyre reagimin më urgjent ndaj synimit të regjimit në Prishtinë për të shkaktuar tensione të reja dhe rrezikojnë paqen dhe sigurinë e qytetarëve tanë.” – shkruhet në reagimin e Listës Serbe.